Vetëm edhe 3 pikë i nevojiten Çelzit për tu shpallur kampion i ri në Premierligë, pasi sonte në ndeshje e fundit të javës së 36-të në Premierligë mundi Midëlzbroun me rezultatin e pastërt 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Në tre xhiro pa përfunduar sezoni, “blutë” e Londrës kanë 7 pikë më shumë se ndjekësi i tyre më i afërt, Totenhami, ashtu që javën tjetër me fitore në transfertën ndaj Uest Bromuiç Albionit, Çelzi do të festonte titullin e 5-të kampion në erën e Roman Abramoviç.
Ndryshe më të merituar për fitoren e sontshme ndaj Midëlzbrous, ishin Diego Kosta (23’), Marko Alonso (34’) dhe Nemanja Matiç (65’), për të cilin ishte ky goli i parë i shënuar këtë edicion në Premierligë.
Çelzi me 84 pikë kryeson renditjen para Totenhamit që ka 77 pikë, ndërkohë Midëlzbrou me vetëm 28 ndodhet në pozitën e parafundit, ashtu që kjo skuadër sezonin e ardhshëm do të luajë një rang më poshtë.