Shkupi pas transfertës ndaj Renovës, sërish rikthehet në stadiumin e Çairit për të zhvilluar një nga ndeshjet vendimtare të këtij sezoni, ku për kundërshtar e ka ekipin e Pobedës nga Prilepi.
Katër pikë diferencë kanë bërë që kjo ndeshje të jetë mjaft dramatike për dy ekipet, që pretendojnë të sigurojnë ekzistencë direkt në elitën e futbollit të Maqedonisë.
Lidhur me këtë ndeshje për sajtin zyrtarë të klubit nga Çairi ka folur sulmuesin kumanovar, Bunjamin Shabani.
“Të dielën do të kemi një ndeshje tepër të rëndësishme, por mendoj se ekipi ynë ka një nivel shumë më të lartë se Pobeda, kështu që nuk e diskutoj fitore. E kemi parasysh se do të jetë një duel shumë i vështirë, ku pikët janë me vlerë të madhe, por ekipet e mëdha tregohen në momente të vështira. Këtë gjysmë sezon kemi bërë ndeshje të mëdha, ndërsa disfata e fundit nga Renova erdhi si shkak i shumë mungesave që kishim në ekip dhe nuk është pasqyrë reale e forcës tonë. Do të japim edhe atomin e fundit që të marrim fitoren e radhës dhe të kthejmë diferencën ndaj Pobedës, duke i ikur sa më larg zonës së balotazhit”, – ka thënë Shabani.
Për këtë ndeshje trajneri Ardian Nuhiu do të ketë më pak probleme në formimin e ekipit të parë, pasi në formacion kthehen kapiteni dhe portieri Suat Zendeli si dhe Besar Iseni që kishin nga pesë kartonë të verdhë, ndërsa pas lëndimeve janë rikthyer edhe Muharem Bajrami dhe Emmanuel Mbella.
Mbetet deri ditën e ndeshjes të mësohet nëse do të jenë plotësisht të gatshëm edhe Sedat Berisha dhe Jasir Asani.
Ndeshja FC Shkupi – Pobeda do të luhet të dielën në stadiumin e Çairit në Shkup me fillim në orën 16:30 minuta, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri nga Tetova, Faton Mustafi.