MSN demoloi Viljarealin (VIDEO)

Barcelona ka shënuar fitore më se të merituar në përballjen e javës së 36-të, duke mundur në “Kamp Nou” skuadrën e Viljarealit me rezultatin 4:1, njofton “infOSport.mk”.

MSN kishte mbrëmjen e saj, duke shënuar të 4 golat, dy prej të cilëve i realizoi Lionel Messi. Megjithatë i pari që nisi serinë e golave në këtë përballje ishte braziliani, Nejmar kur në minutën e 21-të mjaft mirë shfrytëzoi pasimin e saktë nga ana e Messit dhe nga afërsia shënoi për 1:0.

Këtij goli mysafirët iu kundërpërgjigjën në minutën e 32-të me anë të sulmuesit Bakambu, i cili pasi mjaft mirë i iku kurthit të pozitës jashtë loje me një shpejtësi të madhe arriti deri tek goli, duke mposhtur portierin Ter Shtegen.

Dhe kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllet me barazimin 1:1, ashtu nuk mendoi edhe Lionel Messi, i cili pasi përfitoi hapësirën e duhur për të goditur, edhe për herë të dytë mposhti portierin mysafir.

Pas Nejmar dhe Messi, rradha i erdhi edhe Luis Suarez, i cili në minutën e 69-të shënoi një super gol për rezultat 3:1, derisa Messi 8 minuta para fundit të takimit nga pika e bardhë në stilin “panenka” shënoi edhe golin e katërt për Barcelonën.

Falë kësaj fitore Barcelona vazhdon të qëndrojë në pozitën e parë me 84 pikë, mirëpo me Realin e Madridit që pas pak do të zhvillojë ndeshjen e javës së 36-të në transfertën kundër Granadas.

Reali ka 81 pikë për momentin, mirëpo përfshirë edhe ndeshjen e sontshme, “madrilenët” kanë dy ndeshje më pak se skuadra “katalunase”.

Leave a Reply