Sulmuesi francez i Monakos, Kylian Mbappe pa dyshim se për momentin është futbollisti më i përfolur në tregun botëror të futbollit.
Paraqitjet e tij këtë edicion me fanellën e Monakos, bënë që shumë skuadra të kërkojnë shërbimet e tij, ndërsa sipas asaj që raporton “Marca”, Mbappe veçmë ka arritur marrëveshje me Realin e Madridit.
E përditshmja sportive spanjolle në shkrimin e saj kishte vendosur titullin bombastik: “Kylian Mbappe zgjodhi Real Madridin”, duke vijuar më tej se rol të madh në vendimin e këtij transferimi ka luajtur edhe familja e tij, më konkretisht babai i Mbappe, që njëherit është edhe përfaqësues i tij në bisedime.
Gjithnjë sipas Marca ka qenë vetë babai i futbollistit francez që i ka thënë po ofertës së Realit disa ditë pasi Monako e refuzoi shumën prej 90 milionë eurosh për futbollistin.
Mbappe pëlqehet shumë nga trajneri Zinedine Zidane, që e vlerëson atë si prioritet në listën e transferimeve për sezonin e ri.
Shuma që do të përfitojë skuadra e Monakos pritet të jetë rreth 120 milionë euro.