Ekipi i Futsal Shkupit me shumë gjasa do të marrë një fitore 3:0 në tavolinë kundër Ciko-s, skuadër kjo e cila nuk kishte udhëtuar fare sot në ndeshjen që duheshe të startojë në ora 17:30 në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen e Seravës, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo njëra prej tre ndeshjeve finale për ekipin e Shkupit, që në këtë mënyrë pa fare djersë pritet që në konton e saj të grumbullojë edhe 3 pikë të reja, që do i shërbejnë shumë drejt titullit kampion, i pari në historinë e klubit që është themeluar vetëm para tre viteve.
“Neve si nikoqir ishim në palestër që më herët. Lojtarët tanë gjithashtu ishin prezent dhe ta gatshëm për ndeshjen. Ata zbritën në parket madje, mirëpo pak kohë para fillimit të ndeshjes na u paraqitën nga klubi i Ciko-s, duke na thënë se nuk do të udhëtojnë drejt Shkupit për të zhvilluar ndeshjen kundër nesh. Vërtetë u habitëm, pasi në dy ndeshjet paraprake gjithçka ishte në rregull. Edhe ne ishim në Gjevgjeli, por edhe ata udhëtuan drejt Shkupit. Arsyeja sipas tyre ishte gjendja aktuale, mirëpo edhe fondi i futbollistëve që nuk kishin mundur të grumbullojnë për këtë ndeshje. Tashmë gjithçka është në duart e Federatës, por besojmë në tre pikë të reja që do na e bëjnë rrugën edhe më të lehtë drejt titullit kampion” – tha përfaqësuesi i klubit të futsalit, Shkupi, Mensur Fazlija.
Deri në mbyllje të edicionit të sivjetshëm në elitën e futsalit kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro. Javën që vjen Shkupi do të udhëtoj drejt Tetovës, për tu përballur me SEE Universitetin, të cilën skuadër e eliminuan edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë, ndërsa në ndeshjen vendimtare, Shkupi me 20 maj në palestrën “Enver Idrizi” do të mirëpret Velesin që ka tre pikë më pak se skuadra “bardhekaltër” nga Çairi.