Shkupi sot në Tetovë do të përballet me Renovën në ndeshjen e vlefshme të javës së 31-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e fundit mes këtyre dy skuadrave Shkupi në Çair në një super përballje mundi Renovën me rezultatin 3:2, skuadër kjo e cila sot kërkon fitoren me çdo kusht që do mbante skuadrën nga Xhepçishti në garë për dalje në Europë.
Në anë tjetër Shkupi po lufton për grumbullim të pikëve që do ju siguronte atyre mbijetesën në elitën e futbollit vendor, edhe pse sot do ta kenë të vështirë bazuar në mungesat e shumta.
Shkaku i pesë kartonëve të verdhë te Shkupi do të mungojnë kapiteni Suat Zendeli dhe Besar Iseni, ndërsa lëndimet kanë vënë në dyshim paraqitjet e Sedat Berishës, Muharem Bajramit, Emmanuel Mbellas dhe Jasir Asanit, ndërsa ende vazhdon të jetë jashtë ekipit Dimitrija Llazarevski.