Mbrëmë është zhvilluar finalja e Kupës së Rusisë në futboll, në të cilën Lokomotiv Moska mundi ekipin e Ural me rezultatin 2:0. Megjithatë kjo ndeshje përveç emrit të fituesit, një kohë të gjatë do të kujtohet edhe për sherrin që shpërtheu në minutat shtesë të takimit.
Futbollistët e të dyja skuadrave u përfshinë në një sherr masiv në fushë, duke shkëmbyer grushte me njëri-tjetrin, ndërsa në fund nga e gjithë kjo arbitri kryesor vendosi të tregojë 4 kartonë të kuq, nga dy në secilën anë.
Te Ural me karton të kuq u ndëshkuan Fidler dhe Manuçarian, derisa te Lokomotiv Moska, Ari dhe ish futbollisti i Shallkes, Farfan.
Megjithatë kjo nuk ndryshoi asgjë kur është në pyetje rezultati, pasi e gjithë kjo rrëmujë ndodhi vetëm në minutat shtesë.
Ndryshe autorë të golave për Lokomotivën e Moskës që rrëmbeu titullin e 7-të në kuadër të Kupës së Rusisë ishin Denisov (76’) dhe Mirançuk (90+1’).