Sadiki: Respekt maksimal për Shkupin, por pikët ngelin në Tetovë (VIDEO)

Shënoi një super gol në ndeshjen e fundit në Çair, ndërsa një gjë të tillë shpreson të bëjë edhe nesër në Tetovë. Fjala është për mesfushorin e palodhshëm të  Renovës, Burim Sadiki, i cili thotë se ka respekt maksimal për kundërshtarin e nesërm, Shkupin, por se kësaj rradhe pikët do ngelin në Tetovë.

Ai beson se kjo ndeshje do të jetë vendimtare për Renovën, ku është në pyetje kualifikimi për në garat evropiane.

“Ndeshja e nesërme besoj se nuk do të jetë e lehtë për ne, pasi për kundërshtarë kemi një ekip cilësor dhe atraktiv. Besoj se për ne kjo ndeshje do të jetë vendimtare për plasman në garat evropiane. Nëse fitojmë këtë ndeshje,  besoj se ne jemi ekipi favorit për këtë pozitë. Mirëpo theksoj prap se nuk do ta kemi edhe aq të lehtë se edhe Shkupi është në pozitë të padëshiruar, dhe ata me çdo kusht dëshirojnë të sigurojnë ekzistencën në ligën e parë. Besoj dhe shpresoj se ndeshja e nesërme do të përfundoj në favorin tonë dhe dalë nga dalë do të sigurojmë pozitën për në garat evropiane. Respekt maksimal për Shkupin, mirëpo mendoj se pikët nesër do të ngelin në Tetovë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Burim Sadiki.

Në tre përballjet e këtij edicioni të dyja skuadrat kanë shënuar nga një fitore, ndërsa njëra ndeshje mes tyre është mbyllur me barazim pa gola.

Ndeshja e fundit e zhvilluar në Çair dhuroi më shumë gola se në të gjitha ndeshjet e deritanishme mes këtyre dy skuadrave që kur se ekipi nga Çairi garon me emrin e ri, Shkupi. Në atë përballje me shumë kthesa Shkupi shënoi fitore me rezultatin 3:2, ndërkohë Renova në ndeshjen e fundit që ka qenë nikoqir kishte mundur Shkupin minimalisht 1:0.

Ndeshja midis Renovës dhe Shkupit zhvillohet nesër në Tetovë me fillim në ora 16:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri shkupjan, Konstantin Vlaho.

Leave a Reply