Skuadra e Shkupit nesër në Tetovë në kuadër të javës së 31-të do të përballet me Renovën, skuadër kjo e cila kërkon Evropën, ndërsa në anën tjetër Shkupi mbijetesën. Duke u nisur nga ky fakt aktorët nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë pritet të dhurojnë më të mirën nga vetja, duke kënaqur të pranishmit që do jenë prezent në shkallët e stadiumit.
Mbrojtësi i Shkupit, Besart Krivanjeva është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi dhe për cilësitë që posedon Renova, mirëpo shpreson se skuadra e tij do të vazhdojë me paraqitjet e mira si në ndeshjet paraprake kundër Rabotniçkit dhe Shkëndijës.
“Jemi të vetëdijshëm se tani më secila skuadër llogaritë në pikë, duke marrë parasysh se kanë filluar të bëhen kalkulimet e fundit dhe të gjitha ekipet kanë planet e tyre duke synuar për diçka në kampionat, pasi jemi shumë afër përfundimit të kampionatit. Kundërshtari ynë Renova, ka një nga ekipet më kompatkibile dhe tani kërkon shansin për të kapur pozitën e katërt në tabelë. Ndërkohë ne jemi një hap afër për të siguruar ekzistencën, por sigurisht se ndeshjet e shpeshta që kemi pasur gjatë këtyre muajve kanë bërë që numër i konsiderueshëm i futbollistëve të pësojnë dhe lëndime, si dhe të tillë që tani kanë marrë dhe nga pesë kartonë të verdhë. Pres që të vazhdojmë me lojë të mirë, kemi marrë pikë të rëndësishme ndaj Rabotniçkit dhe Shkëndijës, ndërsa shpresoj këtë ta bëjmë edhe ndaj Renovës” – tha Besart Krivanjeva për sajtin zyrtarë të klubit nga Çairi.
Shkupi në këtë ndeshje do të paraqitet me shumë mungesa. Shkaku i pesë kartonëve të verdhë do të mungojnë kapiteni Suat Zendeli dhe Besar Iseni, ndërsa lëndimet kanë vënë në dyshim paraqitjet e Sedat Berishës, Muharem Bajramit, Emmanuel Mbellas dhe Jasir Asanit, ndërsa ende vazhdon të jetë jashtë ekipit Dimitrija Llazarevski.