Renova dhe Rabotniçki kanë ndarë pikët në një ndër ndeshjet më interesante të javës së 30-të në elitën e futbollit vendor, duke barazuar 1:1 në ndeshjen e zhvilluar në Tetovë, njofton “infOSport.mk”. Fillimi i ndeshjes i takoi skuadrës vendase, e cila vetëm pas 8 minutave lojë avansoi me autogolin e Vançe Shikov.
Valmir Nafiu mjaft mirë depërtoi në zonën kundërshtare, ndërsa në tentativë për të bashkëpunuar me ndonjërin prej bashkëlojtarëve të tij, ai qëlloi mbrojtësin e Rabotniçkit, Vançe Shikov, i cili devijoi topin në rrjetën e gabuar për epërsi të “gjipspunuesve”.
Ky gol ishte valid deri në minutën e 80-të, atëherë kur në skenë doli Nehar Sadiki. Mbrojtësi shqiptarë vetëm sa ishte inkuadruar në lojë, ndërsa në kontaktin e tij të parë me topin arriti që të shënojë në rrjetën e Eglant Haxhos.
Herera mjaft mirë harkoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Sadiki i ndihmuar edhe nga mbrojtësi i Renovës, Nenad Mishkovski arriti që të vendos topin pas shpinës së portierit vendas.
Deri në mbyllje të takimit nuk pati ndryshim të rezultatit, ashtu që në fund të dyja skuadrat u ndanë me barazim që nuk i konvenonte asnjërës prej skuadrave.
Rabotniçki mban sërish pozitën e tretë me 48 pikë, tashmë vetëm 4 pikë më shumë se Pelisteri i vendit të katërt, ndërkohë Renova me 42 pikë renditet në pozitën e 5-të.