Skuadra e Vëllazërimit ka zhvilluar një super ndeshje sot përballë Tikveshit, ndaj së cilës skuadër shënoi fitore me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një fitore më se e merituar e të përzgjedhurve të trajnerit Xhengiz Rexhepi, të cilët në këtë mënyrë vazhduan serinë e rezultateve pozitive.
Ata 7 ndeshje rradhazi nuk dinë për disfatë, duke regjistruar 4 barazime dhe 3 fitore, përfshirë këtu edhe fitoren e sotshme.
Për herë të fundit shijen e disfatës skuadra e trajnerit Rexhepi e kishte përjetuar me 12 mars, pikërisht ndaj kundërshtarit të sotshëm, Tikveshit, kur në Kavadar kishte pësuar disfatë me rezultatin 2:0.
Fitorja e sotshme ishte një kundërpërgjigje e mirë e skuadrës kërçovare, që sot e dominoi ndeshjen që nga fillimi.
Robert Mitev paralajmëroi fitoren e Vëllazërimit me golin e realizuar në minutën e 15-të, ndërkohë kah fundi i pjesës së parë Mërgim Dani u ndal në mënyrë të palejuar në zonën kundërshtare, me ç’rast arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë. I saktë në këtë rast u tregua Kushtrim Ballazhi, duke i mundësuar skuadrës së tij që në pushim të shkojë me dy gola epërsi.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të kërçovarëve, për të cilët një gol tjetër dhe njëherit të fundit në këtë përballje e realizoi Mirlind Ibraimi në minutën e 70-të.
Falë kësaj fitore Vëllazërimi arriti në kuotën e 28 pikëve, duke u renditur në pozitën e 6-të, ndërkohë Tikveshi me 19 pikë të tubuara mbetet në pozitën e parafundit.
LDFM, Java 23 |
|||
Akademija P. | 3 – 2 | Teteksi | |
Skopje | 2 – 1 | Turnovo | |
Vëllazërimi | 3 – 0 | Tikveshi | |
Metalurgu | 30.04 | Vardar.N | |
Novaci | 30.04 | Euromilku |