Bajerni i Munihut sërish është në vetë kreun e futbollit gjerman! Për të 5-tën herë me rradhë, që është rekord dhe gjithsej të 27-tën herë Bajerni arrin që të shpallet kampion i Gjermanisë, njofton “infOSport.mk”.
“Bavarezët” një gjë të tillë bënë 3 xhiro para fundit të sezonit të rregullt, pasi sot në transfertë mundën Volfsbrugun me rezultatin e thellë 6:0, duke bërë që diferenca ndaj skuadrës së dytë në tabelë, në këtë rast Lajbcigut të jetë plotë 10 pikë.
Ky trofe është i pari për strategun italian, Karlo Ançeloti me Bajernin e Munihut, pasi ky i fundit zëvendësoi në këtë post Pep Guardiolan. Është ky njëherit edhe trofeu i vetëm i këtij sezoni për italianin, duke pasur parasysh se Bajerni u eliminua nga Liga e Kampionëve, ndërsa gjithashtu edhe nga Kupa e Gjermanisë.
Ndryshe Bajernit sot i shkoi për shtati edhe barazimi pa gola i Lajpcigut ndaj Ingolshtad, duke ju mundësuar “bavarezëve” që me fitore të festojnë që sot titullin e kampionit.
Dhe një gjë të tillë skuadra nga “Alianc Arena” e arriti me stil, pasi që në pjesën e parë falë golave të shënuar nga David Alaba (19’) dhe Robert Levandovski (16’ dhe 45’) avansonte me rezultatin 3:0, ndërsa gjatë pjesës së dytë në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Arjen Roben (66′), Tomas Myler (80′) dhe Xhoshua Kimih (85′), për të shënuar një ndër fitoret më të thella në përballjet ndaj Volfsburgut.
Bajerni deri në mbyllje të sezonit do të luaj edhe ndaj Darmshtadit, Lajpcigut dhe Frajburgut të Amir Abrashit.
Dhe përderisa në Munih festojnë, gjendja e Volfsburgut është shumë kritike. Skuadra e cila vetëm dy sezone më parë ishte në luftë për vetë kreun, tashmë është vetëm një pikë larg vendit të 16-të, që dërgon skuadrat në ndeshjet e balotazhit. 4 pikë është ndërkohë dallimi me skuadrën e pozitës së 17-të, që aktualisht mbahet nga Ingolshtad, pozitë këtë që nuk do e kishte dëshiruar në asnjë mënyrë skuadra e Volfsburgut që me shumë gjasa dy ndeshjet e rradhës, do ti zhvillojë pa shërbimet e Luis Gustavos, mesfushorit brazilian që në minutën e 79-të u ndëshkua me karton të kuq në përballjen me Bajernin.
Skuadra nga “Volksfagen Arena” në tre ndeshjet e fundit të kampionatit që do ti zhvillojë kundër Ajntrahtit të Frankfurtit, Borusia Menhengladbahut dhe Hamburgut nuk ka të drejtë për të gabuar.