Të dielën Shkupi në Çair do të përballet me Shkëndijën në kuadër të xhiros së 30-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Mbrojtësi i skuadrës “Bardheblu” Sedat Berisha para kësaj sfide ka dhënë opinionin e tij.
“Padyshim se Shkëndija ka një ekip të mirë dhe respektuese, por ne nuk do të dorëzohemi në asnjë moment, pasi si në të gjitha ndeshjet, do të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv dhe të sigurojmë sa më herët që është e mundur ekzistencën. Edhe pse Shkëndija do të kërkojë pikë për të mbetur në garë me shpresë për titull, mendoj se 10 pikët diferencë janë të mëdha. Pas fitores ndaj Rabotniçkit kemi bërë një hap të madh drejt ekzistencës, ndërsa këtë duhet ta vërtetojmë edhe në ndeshjet që pasojnë”, është shprehur mes tjerash Sedat Berisha, për faqen zyrtare të FC Shkupit. Takimi Shkupi-Shkëndija luhet nesër në Çair me fillim në orën 16:00.