Portieri Suat Zendeli doli të jetë heroi i Shkupit në përballjen e fundit të javës së 29-të në elitën e futbollit vendor kundër Rabotniçkit, në të cilën ndeshje “bardhekaltërit” nga Çairi shënuan fitore minimale 1:0. Ishte pikërisht Zendeli ai i cili u përkujdes që ky rezultat të mbetet edhe në fund të takimit, pasi Rabotniçki në minutat shtesë të takimit kishte një penalti, të cilën Zendeli arriti që ta mbroj dhe ti sigurojë një fitore me shumë vlera skuadrës së tij.
Ndryshe Shkupi në këtë ndeshje avansoi dy minuta para fundit të pjesës së parë me golin e shënuar nga ana e Besar Isenit, i cili me mjaft mjeshtëri u fut në zonën kundërshtare dhe me një goditje precize për tokë me të majtën e tij shënoi për 1:0. Momenti më interesant i pjesës së dytë ndodhi në minutat shtesë të takimit kur arbitri kryesor morri guximin që në minutat shtesë të tregoi në pikën e bardhë, pasi Ermedin Adem kishte luajtur me dorë, duke ndaluar goditjen e Shikov nga afërsia. Mirëpo paraprakisht në këtë aksion në “romantikëve”, Dule Trajçevski kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj Edis Maliqit, gjë të cilën nuk e kishte vërejtur, edhe pse më pas futbollisti i Shkupit braktisi ndeshjen me fashë në kokë.
Mirëpo që drejtësia të fitoj dhe fitorja ti takojë Shkupit u përkujdes portieri Suat Zendeli i cili mjaft bukur lexoi goditjen e Ffilip Ivanovskit, duke pritur penaltinë e skuadrës vendase që në fund mbeti duar boshë.
Kjo fitore është më se e mirëseardhur për skuadrën e Shkupit që tashmë me 32 pikë është më e sigurtë në pozitën e 7-të, ndërkohë “romantikët” edhe përkundër kësaj disfate vazhdojnë të qëndrojnë në pozitën e tretë me 47 pikë të tubuara.