Reali tenis me Deportivo Lakorunjën (VIDEO)

Pas fitores së thellë të Barcelonës, (7:1) ndaj Osasunas, është kundërpërgjigjur menjëherë Reali i Madridit, që në transfertën në Riazor mundi Deportivo Lakorunjën me rezultatin 2:6, njofton “infOSport.mk”.

Vetëm pas 50 sekondave lojë, Morata shënoi golin e parë për Realin e Madridit, që vazhdoi të torpedojë portën vendase edhe në vazhdim, mirëpo fati nuk ishte me ta pasi në dy raste shtylla shpëtoi skuadrën vendase, para se Hames Rodrigez në minutën e 14-të, të shënojë golin e dytë për “madrilenët”.

Ishin këto minuta perfekte nga ana e futbollistëve “madrilen”, të cilët më pas ndaluan dhe i mundësuan skuadrës vendase që me anë të rumunit Andone të ngushtojnë epërsinë në minutën e 35-të në 1:2. Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë 45 minutave të para, pasi Lukas vetëm një minutë para fundit të saj shënoi edhe golin e tretë për ekipin e Zinedin Zidane.

Hames Rodrigez në minutën e 66-të shënoi golin e katërt për Realin, për të vijuar më pas edhe Isko që zhvilloi një super ndeshje sonte, të cilën me gol e kurorëzoi në minutën e 77-të, derisa vendasit golin e dytë e realizuan përmes Hoselu në minutën e 84-të, shkruan “infOSport.mk”.

Golin e fundit në këtë takim e realizoi Kasemiro në minutën e 87-të, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.

Falë kësaj fitore Reali i Madridit sërish i bashkohet Barcelonës në pozitën e parë, që të dyja skuadrat me nga 78 pikë, duke vazhduar në këtë mënyrë luftën e ashpër për titullin e kampionit.

Leave a Reply