Garet Bejll do të mungojë nga fushat e blerta për plot një muaj, pas atij dëmtimi që morri në ndeshjen e madhe të së dielës kundër Barcelonës në “Kamp Nou”.
Bejll morri një dëmtim në gju, një dëmtim që e ka patur të shpeshtë në këtë sezon duke ia vështirësuar disi punën stafit teknik për të gjetur zëvëndësuesin e tij. Pritet që sulmuesi uellsian të jetë i gatshëm vetëm për finalen e Ligës së kampionëve, kuptohet nëse “mbretërit” prekin sërish finalen e madhe, pasi është më se e qartë se ai do të mungojë në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Atletiko Madridit.
Rikujtojmë ndeshjen e parë ndaj rivalëve lokal Reali do ta zhvillojë me datë 02 maj në “Santiago Bernabeu”, ndërsa atë kthyese me datë 10 maj në “Visente Kallderon”.
Bejll gjithashtu pritet të mungojë edhe në ndeshjet kampionale kundër skuadrave të Deportivo Lakorunjës, Valencias, Granadas dhe Seviljës, ndërsa eventualisht mund të rikthehet në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Malagas në transfertë.