Zendeli, dita e sotme le të jetë një festë futbolli

Dita e sotme në elitën e futbollit vendor na dhuron një ndër ndeshjet më interesante dhe që priten me shumë interesim nga të gjithë dashamirët e futbollit  në vendin tonë, njofton “infOSport.mk”.

Për këtë ndeshje Shkupi ka punuar gjatë gjithë javës dhe i përgatitur do të dalë në këtë përballje mjaft të rëndësishme. Për duelin në fjalë ka folur kapiteni i skuadrës nga Çairi, Suat Zendeli i cili ka thënë se mbi të gjitha dita e sotme le të jetë një festë futbolli në vendin tonë, në të cilën ai dhe ekipi i tij premtojnë lojë të mirë dhe përkushtim në fushë, ndërsa nga tribuna e vetme pret spektaklin dhe përkrahjen e pa rezervë të “futbollistit të 12-të”, që nuk ka mungyar asnjëherë me në krye tifo grupin “Shvercerat”.

“Nuk mendoj se do shumë të komentohet skuadra e Vardarit, ata janë kampion në fuqi, kanë një ekip të mirë disa vite me radhë, pastaj do të luajnë pa presion, duke marrë parasysh se kanë 11 pikë diferencë ndaj Shkëndijës, por mendoj se derbi nuk shikohet nga renditja në tabelë. Ne si ekip jemi të përgatitur maksimalisht, kemi dëshmuar edhe herëve tjera se e kemi ndalur Vardarin. Shpresojmë të japim maksimumin dhe të bëjmë ndeshje të mirë. Nëse duam të kemi rezultat pozitiv, patjetër se duhet të vrapojmë më shumë se kundërshtari,  të kontrollojmë çdo pjesë të terrenit dhe ti fitojmë dyluftimet” – tha Zendeli në intervistën për sajtin zyrtarë të klubit.

Ai fton publikun shkupjan që sot të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit në Çair, aty ku sot dy skuadrat që do të ndajnë mejdanin së bashku peshojnë plotë 21 tituj.

“E ftoj publikun që të dielën të jetë në stadium në numër sa më të madh, ku do të ketë një spektakël futbolli, ashtu sikurse ka ndodhur në çdo derbi tjetër. Nga publiku nuk kërkojmë asgjë tjetër, përveç se të na mbështesin pa rezervë, sikurse e kanë bërë deri më tani, sepse kjo do të jetë vetëm një ndeshje dhe asgjë më shumë. Publiku ynë, në dy vitet e fundit e ka dëshmuar këtë duke qenë shembull për anim korrekt, andaj duhet ta bëjë edhe kësaj radhe, duke qenë të matur në çdo veprim, për të treguar kulturë futbolli dhe respekt për të gjithë. Sigurisht që një rezultat pozitiv, në këtë festë sportive të së dielës, do të vinte si qershia mbi tortë, për ne dhe publikun tonë”, ka thënë kapiteni i skuadrës, Suat Zendeli.

Shkupi në ndeshjen ndaj Vardarit do të jetë pa të lënduarin Dimitrija Llazarevski, ndërsa Jasir Asani shkaku i marrëveshjes mes klubeve (i huazuar nga Vardari), nuk ka të drejtë të luajë.

Ndeshja Shkupi – Vardari fillon në orën 16:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga treshja e arbitrave shkupjan, me në krye Dejan Jakimovskin, të cilit do ti ndihmojnë Sashe Toshevski dhe Dejan Dimitrijeviç .

 

Leave a Reply