Renova sot në Tetovë do të mirëpret Bregallnicën në ndeshjen e parë të rrethit të katërt të garave në elitën e futbollit vendor, kur edhe do të vendoset se cila prej skuadrave do të prek Evropën, dhe cilat dy skuadra do të përshëndeten në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.
I tillë është rasti edhe sot në ndeshjen në Tetovë, në të cilën Renova me fitore eventuale do të mbajë gjallë shpresat për një vend në garat evropiane, ndërsa e njëjta vlen edhe për Bregallnicën, skuadër kjo që e dëshiron fitoren më shumë se kurrë, pasi një tre pikësh përballë “gjipspunuesve” do të shtonte gjasat e tyre për mbijetesë.
Pikërisht rëndësia e pikëve për të dyja skuadrat e bënë këtë ndeshje mjaft interesante dhe të paqartë kur është në pyetje fituesi, për të cilën gjë është i vetëdijshëm edhe mesfushori i “gjipspunuesve”, Muhamed Useini.
“Do jetë një ndeshje e vështirë pasiqë në ligën e Maqedonisë më nuk ka ndeshje të lehta. Ne jemi përgatitur maksimalisht, fizikisht si dhe psiqikisht për këtë ndeshje, pasi me fitore neve do mbetemi në garë për ndeshjet në Europë” – tha në një prononcim për “infOSport.mk” mesfushori i pandalshëm i Renovës, Muhamed Useini.
Renova aktualisht renditet në pozitën e 6-të me 35 pikë, vetëm dy pikë më pak se skuadra e katërt në tabelën e klasifikimit Pelisteri. Në anën tjetër Bregallnica me 19 pikë renditet në pozitën e parafundit.