Shkëndija vetëm barazim ndaj Sileksit në Kratovë

Shkëndija është kthyer me barazim nga Kratova në ndeshjen ndaj Sileksit, e vlefshme për javën e 28-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” nga Tetova u futën në këtë ndeshje me mjaft optimizëm dhe si favorit, në fund duheshe të pajtohen me ndarje të pikëve, që si duket edhe përfundimisht Shkëndijën e largojnë nga gara për titullin e kampionit.

Gjithçka interesante sa u përket golave të shënuar në këtë përballje ndodhi në tre minutat e para të pjesës së dytë.

Ende pa kaluar 60 sekonda të plota, vendasit e Sileksit me anë të Kristijan Filipovskit kaluan në avantazh, mirëpo nuk kaluan shumë çaste dhe Shkëndija përmes një super goli të realizuar nga brazilian Zhunior arriti që të barazojë rezultatin në 1:1.

Edhe pse deri në mbyllje të takimit kishte edhe mjaft kohë për tu zhvilluar, aktorët e këtij takimi edhe pse krijuan shumë raste shënimi para portave respektive, nuk i’a arritën qëllimit që të shënojnë edhe ndonjë gol tjetër, me ç’rast ndeshja u mbyll me barazim.

Shkëndija me 54 pikë mban pozitën e dytë, por tashmë shumë larg nga vendi i parë, derisa Sileksit i ka kushtuar ky barazim pasi tashmë skuadra e trajnerit Zhikica Tasevski renditet në pozitën e 6-të me 36 pikë.

 

Leave a Reply