Dy futbollistët shqiptarë, njëri nga Maqedonia e tjetri nga Shqipëria, Ezgjan Alioski dhe Armando Sadiku, kanë ringjallur ekipin e Luganos. Ata jo që janë vetëm lider të skuadrës së tyre, por edhe lider në Superligën e Zvicrës për momentin. Që të dy kanë shkëlqyer në takimin e sotshëm të skuadrës së tyre duke arritur të shënojnë sërish dhe t’i japin një fitore tepër të rëndësishme 2:1 skuadrës së tyre në transfertën me Jang Bojsin.
Në minutën e 6-të Armando Sadiku jep një asist për Ezgjan Alioskin i cili nuk e kishte të vështirë që nga afërsia ta dërgonte topin në rrjetë për t’i dhënë Luganos avantazhin e merituar, derisa pas 9 minutave lojë në pjesën e dytë është vetë Armando Sadiku ai që shënon golin e dytë për Luganon.
Ky gol njëherit vulosi edhe fatin e ndeshjes, teksa Jang Bojsi vetëm 4 minuta para fundit të takimit arriti vetëm të shkurtojë diferencën në 2:1, por pa mundur ta barazojë atë.
Me këtë fitore ekipi i Luganos shkon në kuotën e 40 pikëve, vetëm 3 më pak se Lucerna e vendit të katërt, pozitë kjo që siguron dalje në Liga Europa.