Sulmuesi i talentuar shqiptarë që mbron ngjyrat e Makedonija Gjorçe Petrovit, Valmir Jonuzi ka qenë ndër futbollistët më të merituar të skuadrës shkupjane që sot në transfertën ndaj Rabotniçkit morri një barazim 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Jonuzi duke shfrytëzuar gabimin e portierit Shishkovski në minutën e 27-të me një parabolë të saktë nga një distancë prej më shumë se 30 metrash shënoi golin e parë të këtij takimi, derisa golin e barazimit për “romantikët” e realizoi talenti shkupjan, Elif Elmaz, vetëm dy minuta para fundit të pjesës së parë.
Për Valmir Jonuzin ishte ky goli numër 3 i shënuar këtë edicion me fanellën e Makedonija Gj.P, pasi i njëjti kishte realizuar edhe përballë Renovës dhe Pelisterit.
Edhe pas këtij barazimi Makedonija Gj.P mbetet në pozitën e fundit të tabelës së klasifikimit, mirëpo tashmë me pikë të njëjta me skuadrën e parafundit, Bregallnicën, që të dyja skuadrat nga 19 pikë, shkruan “infOSport.mk”.
Në anën tjetër Rabotniçki vazhdon të qëndrojë në pozitën e 3-të, me 47 pikë të tubuara, 10 më shumë se skuadra e katërt në tabelë, Pelisteri, që ndeshjen e javës së 28-të do ta zhvillojë nesër kundër Pobedës në Manastir.