Bota e futbollit në zi, vdes në fushë trajneri i Totenhamit (VIDEO)

Ish reprezentuesi anglez dhe njëherit ish futbollisti i Aston Villas dhe Midëlzbrous i cili numëron 355 ndeshje në Premier Ligë, është ndarë nga jeta në fushën e blertë, teksa drejtonte skuadrën U23 të Totenhemit, ku edhe ai ushtronte profesionin si trajner vitet e fundit.

Ehiogu ka pësuar një atak kardiak dhe nuk ka mjaftuar ndihma e shpejtë dhe dërgimi me urgjencë në spital, pasi 44-vjeçari ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe vetë klubi londinez përmes një deklarate për shtyp: “Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Ugo Ehiogut, trajneri i ekipit tonë U-23. Ugo mori ndihmën e shpejtë pas një ataku kardiak në qendrën tonë stërvitore, ndërsa u nda nga jeta në spital, mëngjesin e sotëm. Klubi i dërgon ngushëllimet më të thella familjes, që në këtë moment të vështirë ka kërkuar privatësi”.

Ehiogu gjatë karrierës së tij ka zhvilluar 4 ndeshje me fanellën e kombëtares së Anglisë. Ai ka zhvilluar më shumë se 200 ndeshje me fanellën e Aston Villas në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2000. Më pas ai 7 vite kishte kaluar te skuadra e Midëlzbrous. Ai kishte fituar tre herë Liga Kupën e Anglisë, edhe atë dy herë si pjesë e Aston Villas (1994 dhe 1996) dhe njëherë me fanellën e Midëlzbrous (2004).

Ehiogu gjithashtu gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellat e skuadrave si Uest Bromuiç Albion, Lids Junajted, Gllazgou Renxhers dhe Shefilld Junajted, para se ti thoshte lamtumirë futbollit në vitin 2009. Ehiogu punën si trajner te Totenhami e kishte nisur gjatë vitit 2014-të.

Leave a Reply