Reali i Madridit është skuadra e dytë që ka siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve Evropian, njofton “infOSport.mk”.
Pas Atletiko Madridit, është sërish skuadra tjetër nga kryeqendra spanjolle që arriti të sigurojë një vend në mesin e katër skuadrave më të mira evropiane, duke eliminuar gjigandët e Bajernit të Munihut me rezultatin 4:2, edhe atë vetëm pas kohës shtesë prej 30 minutash, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 1:2 në favor të skuadrës gjermane, rezultat ky që në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Alianc Arena” i kishte takuar Reali të Madridit.
Pas pjesës së parë pa gola, Levandovski nga pika e bardhë në minutën e 53-të kaloi në epërsi Bajernin, ndërkohë Kristiano Ronaldo si zakonisht u përkujdes për golin e parë të Realit të këtë përballje duke shënuar për 1:1 në minutën e 76-të.
Mirëpo nuk kaluan as 60 sekonda të plota dhe një autogol i Serhio Ramos në anën tjetër bëri që “bavarezët” sërish të avansojnë në këtë përballje, duke ruajtur këtë rezultat deri në fund të 90-të minutave, pas së cilave pasuan 30 minutat shtesë, ku “mbretërit” falë dy golave të shënuar nga ana e Kristiano Ronaldos (105’ 110’) dhe një tjetri nga ana e Asensios (112’) siguruan kualifikimin për në ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve Evropian.
Vlen të theksohet se në kohën shtesë dhe në tre minutat e fundit të takimit, Bajerni i Munihut luajti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit nga loja të Arturo Vidal, për shkak dy kartonëve të verdhë .