Arsenali ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në transfertën ndaj Midëlzbrou në ndeshjen e fundit të javës së 33-të në Premierligën angleze.
Aleksis Sançez me një super gol të realizuar në minutën e 42-të kaloi në epërsi Arsenalin, pas një goditje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht nga ana e kilianit. Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa vetëm pas 5 minutave lojë në pjesën e dytë spanjolli, Negredo barazoi shifrat në 1:1, duke rikthyer frikën te skuadra londineze.
Megjithatë për fitoren e Arsenalit mendoi Mesut Ozil i cili në minutën e 71-të shënoi golin e fitores për skuadrën e tij pas një asisti të mrrekullueshëm nga ana e Olivie Zhiru.
Ky gol në fund doli të ketë vlerën e tre pikëve për ekipin e Arsen Venger, që ngjitet në kuotën e 57 pikëve, por gjithsesi shumë larg zonës së Ligës së Kampionëve, ku aktualisht ndodhet Mançester Siti me 64 pikë, mirëpo edhe një ndeshje më shumë se “topçinjtë”. Në anën tjetër Midëlzbrou pas kësaj disfate edhe më shumë ka vështirësuar punët, duke u ngulitur në pozitën e parafundit me 24 pikë, 6 më pak se Hull Siti në pozitën e 17-të, pozitë kjo që siguron mbijetesën në elitën e futbollit anglez.