Shoqata e futbollistëve profesionist në Angli ka publikuar 6 emrat e nominuar për çmimin e futbollistit të vitit në Premierligë. Lideri aktual, Çelzi përfaqësohet me dy futbollistë, Eden Hazard dhe N’Golo Kante, janë dy futbollistët e nominuar nga skuadra londineze, derisa ndër futbollistët tjerë të nominuar për çmimin e më të mirit për këtë edicion në Premierligë janë edhe Zlatan Ibrahimoviç (Mançester Jun.), Aleksis Sançez (Arsenal), Hari Kejn (Totenham) dhe Romelu Lukaku (Everton).
Dy të fundit janë nominuar gjithashtu edhe në kategorinë për çmimin e futbollistit më të mirë të ri, ku bëjnë pjesë edhe Dele Ali (Totenham), Majkëll Kin (Bërnli), Xhordan Pikford (Sanderland) dhe Leroj Sane (Mançester Siti).
Çmimet nga ana e Shoqatës së futbollistëve profesionist në Angli do të ndahen me datë 23 prill, ndërsa rikujtojmë që këtë çmim vitin e kaluar e rrëmbeu ylli i Lester Sitit, Riad Mahrez.