Pasi ditë më parë u mësua edhe treshja e arbitrave që do të ndajnë derjtësinë në ndeshjen e javës së 24-të në Kratovë ndërmjet Sileksit dhe Renovës, ka reaguar edhe kapiteni i skuadrës “bardhekaltër” nga Xhepçishti, Fisnik Nuhiu.
Ai është shprehur i zhgënjyer me këtë vendim të FFM-së, mirëpo duke potencuar se një gjë të tillë edhe kanë pritur.
“Jemi mësuar dhe e dinim se prsëri ai do na referon. Nga 20 ndeshje që kam luajtur në Kratovë gjatë karrierës sime, mund të them se në 15-të prej tyre na ka referuar Aleksandar Stavrev dhe si gjithmonë në favor të Sileksit së bashku edhe me ndihmësin e tij Kirovski që është i punësuar në Tv Sitel, gjithashtu pronë e Xingos. Megjithatë nuk kemi se çfarë të bëjmë, ky është realiteti i futbollit në vendin tonë” – u shpreh i mllefosur kapiteni i Renovës në një prononcim për portalin “infOSport.mk”.
Nuhiu shpreson se në ndeshjen e sotme të paktën të mos ketë vendime skandaloze si në të kaluarën.
“Shpresojmë se nuk do ketë vendime skandaloze si në të kaluarën. Ne do japim maksmumin tonë pa marrë parasysh se si do jetë referimi. Duhet të koncentrohemi në lojën tonë dhe do shofim në fund se si do përfundoj ndeshja” – deklaroi Fisnik Nuhiu.
Në tre ndeshjet e fundit të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave në Kratovë janë shënuar vetëm dy gola, edhe atë nga një gol në dy ndeshje që ishin mbyllur me fitore minimale të Sileksit, 1:0, derisa ndeshja e fundit e zhvilluar mes këtyre dy skuadrave ishte mbyllur me barazim pa gola.
Ndeshja Sileksi – Renova starton në ora 15:00, njëjtë sikurse edhe të gjitha ndeshjet tjera të javës së 24-të në elitën e futbollit vendor.