Shkëndija ka vazhduar me fitore në elitën e futbollit vendor, pasi sot në ndeshjen e javës së 24-të në Tetovë me rezultatin e thellë 5:1 mundi Makedonija Gjorçe Petrovin.
“Kuqezinjtë” dominuan takimin, duke u dhënë rastin edhe disa prej futbollistëve të rinjë si Zejnullai, Asani dhe Taipi, ndërsa për fitoren e tyre në këtë përballje u përkujdes dyshja sulmuese, Besart Ibraimi – Dino Medjedoviç.
Që të dy shkëlqyen në këtë përballje duke shënuar që të gjithë 5 golat, ndërsa i pari që realizoi ishte Medjedoviç.
Abdurahimi në minutën e 9-të mjaft bukur shërbeu për Alimin në zonë, ndërsa ky me kokë lehtë ktheu topin para portës ku Medjedoviç realizoi për 1:0.
Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe pa kaluar gjysmë ore lojë Besart Ibraimi shënon dy gola në afat kohor prej 2 minutave. Fillimisht në minutën e 28-të dyfishoi rezultatin nga penaltia pasi paraprakisht u ndal vetë në mënyrë të palejuar nga futbollistët kundërshtarë, ndërsa dy minuta më vonë pas aksionit të mirë të Zejnullait dhe Alimit, Ibraimi pasi doli i vetmuar arriti që të shënojë edhe golin e tretë për Shkëndijën.
Tre minuta para fundit të pjesës së parë Ibraimi udhëhoqi një kundësulm dhe asiston saktë për Medjedoviçin, që përcolli topin në rrjetë për rezultat 4:0.
Pjesa e dytë nisi ashtu si u mbyll e para, me raste dhe gol për Shkëndijën. Pas një harkimi në zonë topi arriti te Medjedoviç që realizoi golin e tretë personal dhe të pestin për “kuqezinjtë”.
I kënaqur me epërsinë e lartë trajneri Brdariç largoi nga loja Ibraimin dhe Vujçiçin, duke inkuadruar të rinjtë Shpend Asanin dhe Shqiprim Taipin, me këtë të fundit që kthehet pas pauzës së gjatë si pasojë e lëndimit. Pa u bërë një orë lojë miqtë më në fund hidhen në sulm dhe Jane Ivanoski sjell goditje të bukur që ndalet në rjetë për rezultat 5:1.
Kështu Shkëndija merr tre pikë të reja, duke regjistruar fitoren e 15-të sezonale që vazhdon ta mbajë në pozitën e dytë këtë skuadër pas liderit aktual, Vardarit.
Shkëndija falë fitores së sotshme arriti në kuotën e 50 pikëve, derisa Makedonija Gj.P mbetet në pozitën e para fundit me vetëm 16 pikë.