Vazhdon dueli në distancë, Hafizi i kundërpërgjigjet De Biasit

Kanë vazhduar akuzat në distancë midis ish trajnerit të Kombëtares shqiptare të futbollit, Astrit Hafizi dhe trajnerit aktual, Xhiani De Biasi. Hafizi i është kundërpërgjigjur deklaratave “thumbuese” të De Biasit i cili para dy ditësh në emisionin “Opinion” në TV Klan, tha se Hafizi është xheloz me rezultatet që po i arrin Shqipëria nën drejtimin e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish trajneri i Kombëtares shqiptare ka thënë se përgjigja e De Biasit ishte pa nivel.

“Unë nuk mund të kem xhelozi ndaj De Biasit pasi në atë kohë unë nuk kam pasur mundësi. Ajo ishte përgjigjja më pa nivel që kam dëgjuar ndonjëherë. Në pamundësi për të gjitha ato që kam thënë që pas Kampionatit Europian, për përfundimin e ciklit të tij dhe që De Biasi duhet të ikë, ai merret me përgjigje si ajo e djeshmja”, – ishte shprehur fillimisht Hafizi, duke shtuar se De Biasi duhet të largohet sa më shpejt nga Kombëtarja për shkak se po bie niveli i lojës: “De Biasi jeton me ëndrrën e Europianit dhe përfaqësuesja po shkon poshtë dhe më poshtë. Kur ta kuptojë ai mendoj se do të jetë shumë vonë. Shpresoj që drejtuesit e FSHF-së t’i bëjnë gjërat më mirë dhe të kuptojnë situatën”.

 

Leave a Reply