Sekretari i Federatës shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku nuk e ka përjashtuar shkarkimin e parakohshëm të strategut italian, Xhani de Biasit nga Kombëtarja shqiptare.
“Kontrata e De Biasit? Shpresojmë që mos ndodhë humbja në Izrael. Të marrim rezultat pozitiv, Izraeli nuk ka diferenca me ne, pavarësisht si mori loja në Elbasan. Të rikuperojmë ato pikë. Nëse kontrata do të ndërpritet me mirëkuptim, është diçka tjetër”, u shpreh Shulku.
Ndërkohë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Fatbardh Jera ka marrë guximin i pari ta thotë se De Biasit i ka mbaruar cikli te ekipi “kuqezi”.
“De Biazi e ka kontratën deri në fund të edicionit. Megjithatë, ky mund të jetë edhe fundi i ciklit të tij. Natyrisht, ai mund të largohet pas përfundimit të edicionit”, ka deklaruar Jera.
4 humbjet e fundit rradhazi kanë vënë në shënjestër të mediave shqiptare strategun italian, Xhani De Biasi, për shkak të cilit së fundmi nga kombëtarja “kuq e zi” u larguan Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi. Është kjo periudha më e errët për De Biasin nën drejtimin e kombëtares shqiptare, i cili megjithatë mbetet trajneri më i suksesshëm i huaj që ka udhëhequr “kuqezinjtë”.
Ai të martën në miqësoren kundër Bosnje e Hercegovinës kishte ndeshjen e tij të 50-të jubilare si numri një i kombëtares së Shqipërisë, ku deri më tash ka arritur 19 fitore, 11 barazim dhe 20 disfata. Rikujtojmë nën drejtimin e De Biasit, Shqipëria shkruajti historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në një event të madh futbollistik, siç ishte “EURO 2016” në Francë.