Izair Emini: Kemi edhe 10 finale, s’na falen gabimet

Barazimi i marrë në Korçë ka shtuar ndjeshëm dozat e entuziazmit te skuadra e Kukësit, skuadër kjo e cila mban kryesimin në elitën  e futbollit shqiptarë, edhe atë pa asnjë humbje.

Megjithatë, mesfushori tetovar i skuadrës verilindore,  Izair Emini kërkon nga Kukësi kujdes në 10 javët e mbetura, duke filluar nga Luftëtari.

Ai e cilëson kundërshtar të rrezikshëm ekipin e Luftëtarit, dhe thekson se ka dëshmuar se mund t’u marrë pikë edhe skuadrave të mëdha.

“Mendoj që, pas ndeshjes në Korçë, gjendja në ekip është shumë e mirë dhe atmosfera gjithashtu. Por ai barazim duhet arkivuar tashmë, pasi vjen radha e Luftëtarit. Gjirokastritët kanë dëshmuar se kanë një ekip shumë cilësor dhe meriton respekt. Mirëpo, ne kemi objektivat tona dhe kemi filluar të përgatitemi për ta kaluar me sukses edhe këtë duel. Nuk mund të flasim me askënd, ndaj duhet kjo fitore”, – theksoi Emini në një prononcim për “panorama-sport.com”.

Sulmuesi 31-vjeçar është i bindur se, në këtë moment, që të gjitha ndeshjet janë finale dhe përcaktuese. Edhe kundërshtarët, ashtu si Kukësi, duan të shpallen kampionë në finish.

“Për ne tani e në vazhdim të gjitha ndeshjet janë përcaktuese. Nëse duam titullin, nuk na lejohen hapat falsë. Këtë e kemi të gjithë të qartë. Rivalet dihet që kanë objektiva ashtu si dhe ne, por në fund vetëm një e merr. Ai që do gabojë më pak, ose aspak. Gjithsesi, ne shohim vetëm veten dhe ecurinë tonë. Nëse vijojmë me të njëjtin ritëm, vendi i parë do të mbetet yni”, – kishte përfundua Izair Emini deklaratën e tij dhënë gazetës më të madhe shqiptare, “panorama-sport.com”.

Kukësi pas 26 xhirove (13 fitore, 13 barazime), kryeson renditjen në Superligën shqiptare me 52 pikë, po aq sa ka edhe Partizani i vendit të dytë, që këtë javë do të ndeshjet me Skënderbeun e vendit të tretë, skuadër kjo që ka grumbulluar 50 pikë.

 

Leave a Reply