Brazili ka shkëlqyer në ndeshjen ndaj Uruguait, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”.
Sot në orët e para të mëngjesit kombëtarja braziliane me rezultatin e thellë 4:1 mundi uruguaianët, duke hedhur kështu hapin final drejt Kupës së Botës.
Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një rezultat të tillë, pasi Kavani vetëm pas 9 minutave lojë kaloi në epërsi Uruguain.
Megjithatë këtu ishte Paulinjo, i cili mendoi për Brazilin dhe barazimin e rezultatit vetëm pas 9 minutave.
1:1 ishte rezultati i pjesës së parë, ndoshta i kënaqshëm për tifozët vendas të Uruguait, skuadër kjo e cila u dorëzua në tërësi në pjesën e dytë përballë një Brazili të shkëlqyeshëm që realizoi tre gola të tjerë, shkruan “infOSport.mk”.
Ishte sërish Paulinjo futbollisti që shkëlqeu duke shënuar dy gola të tjerë (51’, 90+2’), ndërsa një gol dhe një asist në këtë ndeshje regjistroi Nejmar.
Ishte kjo fitorja e 9-të për Brazilin në këto kualifikuese, dhe e 8-ta nën drejtimin e trajnerit Tite nga po aq ndeshje, duke konfirmuar pozitën e parë me 30 pikë, 7 më shumë se Uruguai në pozitën e dytë.