Shqipëria ka pësuar edhe disfatën e tretë në ndeshjen e 5-të në kuadër të grupit “G”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “kuq e zi” edhe pse pati një përkrahje të madhe nga tribunat e stadiumit në Palermo, në fund u dorëzua përballë Italisë, që në secilën pjesë shënoi nga një gol.
Cikalleshi që në minutën e parë kishte rastin më të mirë për Shqipërinë për të shënuar gol në këtë ndeshje, mirëpo pasi një gjë e tillë nuk ndodhi në rrjetën e Bufon, ndodhi në anën tjetër në minutën e 12-të, kur De Rosi nuk fali nga pika e bardhë dhe shënoi në rrjetën e Strakoshës.
Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në të dytën edhe përkundër dëshirës së madhe nga ana e futbollistëve “kuqezinj” për të barazuar rezultatin, një gjë të tillë nuk arritën, pasi Immobile duke shënuar në rrjetën e shokut të tij te skuadra e Lacios, Thomas Strakosha, humbi edhe ato pak shpresa të futbollistëve shqiptarë, të cilët pas këtij të shënuar në minutën e 71-të u dorëzuan përballë kundërshtarit të fuqishëm, që vazhdon luftën me Spanjën për pozitën e parë në grup.
Që të dyja këto kombëtare kanë nga 13 pikë në dy pozitat e para, pasi “iberikët” në teren vendas me rezultatin 4:1 mundën Izraelin. Në ndeshjen tjetër tëp o këtij grupi, Maqedonia në transfertë mundi Lihtenshtejnin me rezultatin e pastërt 3:0.