Duke nisur nga sezoni 2108-2019, “Serie A” do të përfaqësohet me katër skuadra në Ligën e Kampionëve Evropian.
Një gjë të tillë ka konfirmuar vetë UEFA, bazuar në përllogaritjet e bëra në bazë të katërvjeçarit nga sezoni 2012-2013 deri në sezonin 2016-2017.
Kampionati italian tashmë renditet në pozitën e katërt, pas atij spanjoll, gjerman dhe anglez. Kësisoj që të katër këto kampionate do të kenë nga katër skuadra përfaqësuese në Ligën më prestigjioze Evropiane, derisa kampionati i Francës dhe ai i Rusisë që renditen në pozitat 5 dhe 6 kanë nga dy skuadra të garantuara në fazën në grupe, me një të tretë që do të shkojë në kualifikuese.
Ndërkohë, kampionatet nga vendi i 7-të, deri te i 10-ti, e që aktualisht mbahen nga ai portugez, ukrainas, belg dhe turk kanë vetëm nga një skuadër të garantuar në fazën në grupe dhe një tjetër në kualifikuese.
Kampionati i Çekisë dhe ai i Zvicrës që renditen përkatësisht në vendet 11 dhe 12, shohin ekipet e tyre kampione të marrin pjesë në ndeshjet e “play-off”, ndërsa kanë të sigurt të paktën një pjesëmarrës direkt në fazën në grupe të Liga Europa.