Trajneri Xhani De Biazi duket se ka përpiluar që tani formacionin me të cilin do të zbres në fushë në ndeshjen e nesërme kundër Italisë që zhvillohet në “Renzo Barbera” të Palermos me fillim në ora 20:45.
Mes mungesash me peshë në prapavijë, për shkak lëndimesh apo pezullimesh, 60-vjeçarit nga Sarmede i është dashur të “meremetojë”.
Duke nisur nga porta, ku mungon i padiskutueshmi Etrit Berisha, të cilin pritet ta zëvendësojë 20 vjeçari Thoma Strakosha, pjesë e Lacios që tashmë ka eksperiencë në kampionatin italian.
Djali i legjendës së portës kuqezi, Foto Strakosha, duket se ka fituar balotazhin me Alban Hoxhën, duke iu besuar atij ruajtja e katërkëndorit me axurrët.
Në mungesë të Mavrajt, vendin e tij në mbrojtje do e zë një tjetër futbollist shqiptarë që luan në “Serie A”, Frederik Veseli i Empolit, përderisa futbollistët e krahut të mbrojtjes do të jenë të zakonshmit, Hysaj dhe Agolli.
Menjëherë para katërshes mbrojtëse do të luaj Burim Kukeli, i cili do të mundohet të lidh lojën midis mbrojtjes dhe mesfushës, që me shumë gjasa do të përbëhet nga katërshja, Roshi-Memushaj-Basha-Llullaku, derisa në sulm i vetmuar do të jetë Armando Sadiku.
Në anën tjetër te kombëtarja “axurre”, risi është vetëm moduli i skemës së trajnerit Ventura, që do të luaj me formacionin 4-2-4, një formacion ky që na bënë me dije se Italia që nga fillimi do të atakojë portën shqiptare dhe se është e vendosur vetëm për fitore.
Mirëpo përgjigjen reale dhe të saktë, do na e jep dita e nesërme kur edhe me miliona shqiptarë do të kenë sytë nga Palermo, aty ku iatalianët dhe shqiptarët do të tregojnë gjithë potencialin e tyre.