Kapiteni i Islandës, Aron Einar Malmquist Gunnarsson ka lavdëruar përfaqësuesen e Kosovës në futboll, për të cilën thotë se ka futbollistë të jashtëzakonshëm.
Ai këshillon bashkëlojtarët të kenë kujdes nga kosovarët, për të cilët thotë se janë mjaft të talentuar, por njëkohësisht edhe të rrezikshëm.
“Ata janë në proces e sipër të ndërtimit të ekipit, po luajnë mjaft mirë. Kosova po bën punë të mirë, kemi parë aftësi mjaft të mira të futbollistëve të tyre. Duhet të kemi kujdes në fushë nesër”, – deklaroi kapiteni islandez në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarët.
“Nuk mund të them se i njoh aq shumë futbollistët e Kosovës, por ditëve të fundit i kam shikuar, i kam parë ata. Më duhet ta them se ka shumë futbollistë të talentuar që luajnë në liga të ndryshme të Evropës”, – u shpreh Gunnarsson.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Kosova ka lojtarë të jashtëzakonshëm individualë, një ekip që është duke u ndërtuar, duhet ta respektojmë këtë. Sa herë që luan ndaj një ekipi kombëtar, janë ndeshje të vështira”, përfundoi ai.