Mesfushori shqiptar Migjen Basha duket se po kalon një rini të dytë në rajonin e Puljas. Pas një viti të shoqëruar nga dëmtimet e shumta në radhët e Torinos, ai është rikthyer më i fortë se kurrë duke marrë në dorë frenat e mesfushës së Barit.
Në intervistën dhënë për Supersport, Basha ndalet më pas te analiza që i bën grupit eliminator, duke e prauar se humbja me Izraelin e komplikon shumë situatën për Shqipërinë.
“Humbja kundër Izraelit na i komplikoi goxha planet dhe kemi humbur shumë keq, besoj se kemi shance nëse marrim rezultat pozitiv ndaj Italisë”, shtoi mesfushori.
I pyetur për strategjinë që do të zgjedhë Shqipëria në ndeshjen e Palermos kundër Italisë, Basha shton se kuqezinjtë do ta ndërtojnë ndeshjen si të gjitha sfidat e tjera paraardhëse.
” Këtë moment duhet të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë, edhe kundër Spanjës kemi qenë mjaft mirë në fushë deri në momentin që kemi bërë golin dhe e dimë se çfarë kualiteti ka Spanja. Kundërsulmi është ajo që ne duhet të bëjmë dhe nëse do fillojmë ta sulmojmë të parët Italinë, atherë do të pësojmë shumë gola”, përfundoi mesfushori shqiptar, Migjen Basha.