Mançester Siti dhe Liverpulli kanë zhvilluar një ndeshje tejet atraktive dhe me shumë emocione në “Etihad Stadium”, ku në fund të dyja skuadrat shënuan nga një gol për ndarjen e pikëve, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja u zhvillua me një tempo shumë të lartë që nga fillimi e deri në fundin e saj, ndërsa nuk munguan edhe rastet para portave respektive.
Që të dy golat në këtë ndeshje u shënuan në pjesën e dytë. Xhejms Milner me një goditje precize nga pika e bardhë kaloi në epërsi Liverpullin në minutën e 51-të, derisa për barazim e Mançester Sitit u përkujdes, Serhio Aguero me golin e realizuar në minutën e 69-të.
Sulmuesi argjentinas humbi edhe disa raste mjaft të mira për gol, ndërsa gjithashtu edhe në anën tjetër Liverpulli humbi disa raste të pastërta, ku rastin më të volitshëm për gol e pati Adam Lalana, shkruan “infOSport.mk”.
Pas këtij barazimi që të dyja skuadrat mbeten në pozitat e njëjta dhe me diferencën e njëjtë prej vetëm një pike, ndërsa nga e gjithë kjo ka përfituar Totenhami që pas fitores 2:1 ndaj Sautemptonit tashmë renditet në pozitën e dytë me 59 pikë, dy më shumë se Siti në pozitën e tretë dhe tre më shumë se Liverpulli në pozitën e katërt.