Strategu francez, Arsen Venger, i cili javëve të fundit ka qenë shumë i përforlur në mediat angleze, do të qëndrojë te Arsenali, të paktën edhe sezonin tjetër.
Një gjë të tillë kanë konfirmuar vetë drejtuesit e klubit anglez, edhe pse skuadra e tyre nuk po kalon momente aq të mira këtë edicion.
Pas protestave të tifozëve që ndodhën menjëherë pas disfatës së skuadrës së tyre ndaj Uest Bromuiç Albion në transfertë, u mendua se do të vinte shkarkimi i francezit, por po ndodh e kundërta.
Venger vazhdon të ketë besimin e pronarëve, edhe pse këtë sezon Arsenali pas shumë vitesh mund të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve.
Kur kanë mbetur edhe 10 xhiro deri në mbyllje të sezonit 2016/2017 në Premierligë, Arsenali ndodhet në pozitën e 6-të me 50 pikë, 6 pikë larg skuadrës së pozitës së katërt, që aktualisht mbahet nga Liverpulli, skuadër kjo e cila në anën tjetër ka dy ndeshje më shumë se “topçinjtë”.