Klubi i volejbollit për femra, Universiteti i Tetovës ka regjistruar edhe fitoren e tretë në ndeshjen e saj të katërt në stinorin pranveror në elitën e volejbollit në vend, njofton “infOSport.mk”.
Të përzgjedhurat e trajneres Laureta Abazi sot mundën ekipin e Nakovski Volej Strumicë me rezultatin 1:3, në sete 17:25,25:20,14:25 dhe 21:25.
Ishte kjo edhe një ndeshje e shkëlqyeshme e rradhës nga ana e vashave nga Universiteti i Tetovës që tashmë pas kësaj fitore renditen në pozitën e katërt në tabelën e klasifikimit.
“Sërish kryelartë kthehemi, me fitore 3 me 1 në seta, këtë rradhë fitore e rëndësishme kundër Nakovski Volej-Strumicë. Dëshmuam edhe njiher se meritojmë një pozitë më lartë në renditjen tabelare. Vërtetë jam shumë e gëzuar për këtë fitore dhe me shumë kënaqësi do ju thoja vashave, bravo vajza krenohem me ju” – tha pas përfundimit të ndeshjes krye trajnerja, Laureta Abazi.
Kjo e fundit beson se ekipi i saj do të vazhdojnë me paraqitjet e mira edhe në ndeshjet e rradhës, ku fillimisht të enjten ata do të zhvillojnë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë kundër skuadrës shkupjane të Janta Volej, pasi paraprakisht në çerekfinale kishin eliminuar ekipin e Pelisterit nga Manastiri, shkruan “infOSport.mk”.
Ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër kampionëve vjeshtor të Janta Volej, vashat e UT-së do ta zhvillojnë në Tetovë, ndërsa të kthyese me datë 12 prill në Shkup.
Fundjavën që vjen (25 mars) Universiteti i Tetovës në kuadër të xhiros së 12-të në elitën e volejbollit në Tetovë do të mirëpret ekipin e Bamikor Medika.