Ndeshja midis Pobedës dhe Shkupit e zhvilluar sot në Mogilla të Prilepit kishte pak edhe konotacion politik, njofton “infOSport.mk”.
Gjatë zhvillimit të kësaj ndeshje, më saktësisht në minutën e 69-të dy tifoz të skuadrës vendase u futën në fushë, që është jashtë çdo rregulle.
Njëri prej tyre mbante një maskë të zezë, e tjetri jo, ndërsa që të dy valvitnin flamurin e Maqedonisë me 16 rreze dielli, duke ju bërë me dije të pranishmëve në fushë se kjo është tokë e Maqedonisë, transmeton “infOSport.mk”.
A thua vallë kujt deshën ti dëshmojnë këta dy “tifoz” një gjë të tillë, kur të gjithë e dimë se është tokë e Maqedonisë ku të gjithë duhet të jetojmë të barabartë, pavarësisht nacionalitetit dhe religjionit….???
E gjithë kjo ngjarje e pakëndshme zgjati vetëm një minutë, pasi që të dy tifozët e paftuar lëshuan fushën pa shkaktuar ndonjë incident, ndërsa nga e gjithë kjo vetëm një është e sigurtë se Pobedën e Prilepit e pret dënimi nga Federata e Futbollit të Maqedonisë për këtë lëshim të bërë gjatë organizimit të ndeshjes së javës së 24-të kundër Shkupit që u zhvillua në stadiumin “Mogilla” në Prilep, që për fat të keq aktorëve në fushën e blertë nuk u mundësoi të dëshmojnë cilësitë e tyre.