Derbi ndeshja e pjesës së poshtme të tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit vendor, ndërmjet Pobedës dhe Shkupit e zhvilluar në Prilep është mbyllur me barazimin 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një ndeshje në të cilën vendasit e dëshironin më shumë fitoren, mirëpo përballë hasën në një skuadër të shkëlqyeshme, e cila atë që e dëshironte dhe e arriti në fund nga kjo transfertë e vështirë.
Dimitrija Lazarevski në minutën e 31-të kaloi në epërsi Shkupin pas një harkimi në zonë nga gjuatja e lirë e ekzekutuar nga ana e Muharem Bajramit.
Ishte ky njëherit edhe goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë Pobeda deri tek barazimi erdhi falë një gabimi të portierit Suat Zendeli, i cili shënoi autogol në minutën e 63-të, transmeton “infOSport.mk”.
Deri në mbyllje të takimit Pobeda kërkonte edhe golin e dytë, mirëpo pa ide, ndërsa në anën tjetër Bunjamin Shabani i inkuadruar në lojë gjatë pjesës së dytë shumë lehtë mund të ndodhte që në minutën e fundit të takimit të shënonte edhe golin e dytë për Shkupin.
Pas këtij barazimi Shkupi dhe Pobeda mbeten në pozitat e njëjta, 7 dhe 8 tashmë me 22 pikë, gjegjësisht 20 pikë për skuadrën nga Prilepi, e cila ndeshjen e fundit të rrethit të katërt do ta zhvillojë në Çair.