Muhamed Useini, ndaj Pelisterit luajmë vetëm për fitore

Ndeshja më interesante e javës së 23-të në elitën e futbollit vendor zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku mejdanin do të ndajnë Renova dhe Pelisteri, njofton “infOSport.mk”.

Është kjo një ndeshje midis dy skuadrave që njihen mirë mes tyre dhe kuptohet që në rradhët e veta kanë futbollistë mjaft cilësorë të cilët publikut në Tetovë pritet ti dhurojnë një spektakël.

I të njëjtit mendim është edhe mesfushori i “bardhekaltërve” nga Xhepçishti, Muhamed Useini, i cili në një prononcim për portalin tonë tha se ekipi i tij për këtë ndeshje mendon vetëm për fitore dhe se çdo rezultat tjetër do të ishte i barabartë me mos sukses.

“Po dihet që është një ndeshje e vështirë duke parë që luajmë me një kundërshtarë të fortë, mirëpo Renova nuk duhet trembur nga asnjë ekip posaçërisht kur jemi vendas pasi që  kemi një ekip mjaft cilësorë. Gjatë javës kemi punuar shumë mirë, jemi  përgatitur maksimalisht, ashtu që përveç fitores asnjë rezultat tjetër nuk do të na kënaqte nesër” – tha enkas për “infOSport.mk” mesfushori i palodhshëm i Renovës, Muhamed Useini.

Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në Tetovë në kuadër të kampionatit ishte mbyllur me fitoren e pastërt të Renovës me rezultatin 2:0. “Gjipspunuesit” shpresojnë se edhe nesër do të përsërisin një rezultat të tillë dhe se me fitore eventuale të kapin trenin e fundit për ato pozita që sigurojnë Evropën.

Leave a Reply