Juve-Milan mund të lërë pasoja serioze te kuqezinjtë, sepse polemikat pa fund në mbyllje të ndeshjes së vendosur nga një penallti e dyshimtë nuk do të kalojnë pa u analizuar nga komisionet disiplinore, aq më që shumë që edhe në tunel dhe në dhomat e zhveshjes ka pasur dëme të shkaktuara nga lojtarët kuqezinj.
Tani bëhet një bilanc dhe mediat në Itali raportojnë se disa lojtarë rrezikojnë pezullim, duke nisur nga Karlos Baka. Të martën mblidhet komisioni i disiplinës dhe sulmuesi kolumbian është ai që rrezikon më shumë, i cili ofendoi rëndë arbitrin dhe ishte trajneri Montela ai që e ndali, sepse sulmuesi po shkonte kërcënueshëm drejt arbitrit.
Së bashku me sulmuesin, edhe Poli, Romanjoli e De Shilio mund të pezullohen, por nuk do të kalojë pa analizuar edhe fraza e Donarumës: “Nuk është e mundur, gjithmonë me ata”.
Në fund, rrezikon edhe Adriano Galiani, sepse administratori i deleguar kuqezi zbriti nga tribuna dhe u pa në fushë, ndërsa protestoi ashpër edhe në tunel.