Arijan Ademi shkëlqen me dy gola në fitoren e Dinamo Zagrebit, por…(VIDEO)

Arijan Ademi ishte një ndër protagonistët kryesor te Dinamo e Zagrebit në ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve, që skuadra e njohur kroate e zhvilloi sot përballë skuadrës islandeze të Valur, njofton “infOSport.mk”.

Ademi realizoi dy gola, ndërsa i njëjti mund të shënonte edhe një tjetër në rast se realizonte nga penaltia në minutën e 82-të.

Golin e parë kapiteni dinamovit e realizoi vetëm pas 8 minutave lojë, kur pasi qetësoi topin me gjoks, me një të djathtë të fuqishme dërgoi topin në rrjetë.

Lovor Majer 4 minuta para fundit të pjesës së parë dyfishoi epërsinë e Dinamo Zagrebit, ndërkohë Ademi në minutën e 72-të pas një super aksioni, ku në rolin e asistuesit ishte Lirim Kastrati, shënoi edhe golin e tretë dhe të dytin personal në këtë ndeshje.

Ademi në të 82-tën kishte mundësi të rrumbullaksonte “hat-trikun” e tij të parë në Europë me Dinamo Zagrebin, mirëpo goditjen e futbollistit me origjinë nga Tetova, e ndali portieri mysafir, Halldorson.

Kjo huçje, ju dha krahë futbollistëve mysafir, që në minutën e 88-të ngushtuan epërsinë e skuadrës kroate në 3:1, derisa një minutë më pas Adolfson shënoi edhe golin e dytë për Valur, që tashmë shpreson shumë në kalimin në raundin tjetër.

Mbetet të shihet se cila do të jetë skuadra që do të shkoj më tej? Një gjë të tillë do ta mësojmë vetëm pas një jave, kur në tokën islandeze do të zhvillohet ndeshja e kthimit. (infOSport.mk)

Leave a Reply