Portieri shkupjan, Krenar Ramadani është emri i rradhës nga futbolli vendor që do të luaj në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.
23-vjeçari vendosi që karrierën e tij ta vazhdojë te skuadra e Flamurtarit nga Prishtina, e cila sezonin e ri do të bëjë gara në Vala Superligën e Kosovës.
Gardiani shkupjan me skuadrën prishtinase ka nënshkruar kontratë dy vjeçare, duke shpresuar se në sezonin e ri do të paraqiten denjësisht në mesin e më të mirëve.
“Jam i lumtur që fillova një bashkëpunim me skuadrën e Flamurtarit. Vërtetë jam shumë i kënaqur nga kushtet e ofruara dhe projekti që më treguan drejtuesit e kësaj skuadre që sezonin e ri pretendojnë të paraqiten sa më mirë në elitën e futbollit kosovar. Shpresoj se besimin e dhënë nga ana e tyre do e shpërblejë me paraqitje të mira” – tha enkas për “infOSport.mk” Krenar Ramadani, një ish portier i FC Shkupit, i cili në kampionatin elitar të Kosovës do të rigjejë ish shokun e tij, Jasir Bajrami, që gjithashtu sezonin e ri do të luaj në mesin e më të mirëve me skuadrën e tij, Vllazninë e Pozhoranit.
Ndryshe Ramadani te Fflamurtari vjen nga rradhët e Elbasanit të Shqipërisë, ku qëndroi për dy vite, duke pasur parasysh se një vit portieri shkupjan ishte pjesë edhe e Pogradecit. Karrierën e tij Krenar Ramadani e kishte nisur te FC Shkupi, ndërsa gjithashtu një kohë kishte qenë edhe pjesë e grupmoshave të reja te skuadra e Vardarit.
Përveç Ramadanit skuadra e Flamurtarit sot bëri edhe dy goditje tjera, duke nënshkruar kontratë me qendërmbrojtësin malazez, Simo Goranoviç, i cili erdhi nga skuadra e Ibarit të Malit të Zi dhe futbollistin e talentuar kosovar, Rinor Jashari, që arriti nga skuadra e Ferizajit.