Zhikica Tasevski pas një viti mund të rikthehet në futbollin vendor, aty ku së fundmi drejtonte skuadrën e Rabotniçkit, njofton “infOSport.mk”.
Strategu 42-vjeçar mund të marrë drejtimin e skuadrës së Makedonija GJ.P., skuadër kjo që nën drejtimin e strategut nga Prizreni, Naxhi Shensoi pësoi tre disfata të njëpasnjëshme, duke humbur kështu garën për vendet që sigurojnë Europën.
Ndërkohë siç mëson “infOSport.mk”, gjatë ditës së djeshme drejtuesit e Makedonija Gj.P kanë kontaktuar strategun shkupjan, të cilin dëshirojnë ta angazhojnë në vazhdim të kampionatit. Edhe pse palët ishin dakorduar për disa gjëra, burime pranë portalit tonë thonë se të njëjtat do të takohen edhe gjatë ditës së sotme për të precizuar edhe disa detaje, që më pas të arrijnë marrëveshjen e duhur.
Tasevski njihet si një strateg mjaft temperament, i cili me punën e tij ka arritur që të fitojë shumë respekt te skuadrat ku ka punuar.
Ndryshe përveç Rabotniçkit në kampionatin vendor, Tasevski ka udhëhequr edhe Metalurgun dhe Sileksin, një kohë të shkurtë ishte edhe ndihmës trajner te skuadra bullgare e Lokomotiv Plovdiv, ndërsa gjithashtu kishte drejtuar edhe skuadrën kineze të HN Billows.