Sonte vazhdon Liga e Kampionëve me ndeshjet e fundit të raundit të gjashtë dhe të fazës së grupeve që do të japin verdiktet përfundimtare.
Në grupin ‘E’ sfida më interesante zhvillohet në Amsterdam, aty ku Ajaksi do të mirëpret Bajernin eMunihut. Kjo ndeshje do të vendos se cila prej këtyre dy skuadrave do të zë vendin e parë në grup. Ajaksit i nevojitet vetëm fitorja, në rast se dëshirojnë të fund të dalin të parët e grupit, teksa në anën tjetër ‘bavarezëve’ do ju kryente punë edhe një barazim.
Përballja tjetër që do të zhvillohet në Lisbonë midis Benfikës dhe AEK-ut, do të vlejë vetëm për statistikë, pasi skuadra portugeze veçmë e ka siguruar vendin e tretë.
Në Grupin F, Mançester Siti, tashmë i kualifikuar në vend të parë, pret Hofenhajmin e vendit të fundit, ndërsa përplasja direkte Shakhtar-Lion përcakton skuadrën e dytë që do të luaj në fazën e eliminimit të Ligës së Kampionëve. Lioni ka dy pikë më shumë se ukrainasit, dhe nëse fiton në këtë transfertë dhe Hofenhajmi bën surprizën në Mançester, atëherë Shakhtari do të humbiste edhe vendin e tretë.
Në Grupin G, Reali i Madridit, tashmë i blinduar në vend të parë, pret CSKA-në e Moskës, ndërsa Roma, gjithashtu e kualifikuar si e dyta, luan në transfertë me Viktoria Plzen. Skuadra çeke e mban vendin e tretë me 4 pikë, falë avantazhit në ndeshjet direkte me rusët.
Edhe në Grupin H është zgjidhur thuajse gjithçka, Juventusi kryesues luan me zviceranët e Jang Bojs në transfertë, ndërsa Mançester Junajtedi udhëton drejt Valencias. Juventusi mund ta humbasë vendin e parë nëse humbet në Zvicër dhe Junajtedi fiton në Spanjë. Valencia në çdo rast e ka siguruar vendin e tretë dhe në vazhdim do të luaj në Liga Europa.