Erxhan Menga e rilind Gostivarin

Gostivari brenda pak ditëve ka shënuar edhe fitoren e dytë nën drejtimin e trajnerit Erxhan Menga, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores së madhe të shtunën në transfertën ndaj Struga Trim Lum (1:4), sot skuadra e Gostivarit në terren vendas me rezultatin e pastërt 3:0 mundi Teteksin, duke fituar në këtë mënyrë derbin e Pollogut.

Që të tre golat Gostivari i realizoi në 20 minutëshin e fundit të takimit, kur i pari që hapi serinë e golave, ishte një ndër futbollistët më në formë te skuadra gostivarase, Florent Osmani. Sulmuesi shkupjan realizoi në minutën e 70-të, ndërsa vetëm 5 minuta më pas rezervisti Lavdrim Skenderi dyfishoi rezultatin në 2:0. Edhe pse ky i fundit ankohej në lëndim nga ndeshja e fundit, trajneri Menga vendosi që ta inkuadrojë në 20 minutat e fundit, dhe nuk gaboi, pasi i njëjti e shpërbleu atë me një gol.

Golin e tretë dhe të fundit në këtë  takim për Gostivarin e realizoi sulmuesi tjetër Valon Zeqiri në minutën e 86-të.

Me këtë fitore Gostivari tashmë renditet në pozitën e dytë me 12 pikë, vetëm një më pak se rivalët lokal të Genç Kalemler.

Leave a Reply