Shtyrja e dy ndeshjeve në “Serie A”, ajo midis Milanit dhe Xhenoas, si dhe ajo në mes Sampdorias dhe Fiorentinës, për shkak të tragjedisë së Xhenovës është shndërruar në një problem për Ligën Italiane të Futbollit, që kërkon t’i rikuperojë sa më parë të jetë e mundur.
Ideja më e fundit është rikuperimi i menjëhershëm, duke filluar që nga mesjava e ardhshme, që përkon me datat 21 dhe 22 gusht.
Kjo pasi me startin edhe të ndeshjeve në grupe të Liga Europa, do të jetë e vështirë të gjendet një datë e lirë për Milanin, që të rikuperojë ndeshjen me Xhenoan, të paktën deri në fund të tetorit.
Gjithsesi zyrtari i Ligës, Marko Brunelli theksoi se ky opsion po studiohet dhe do të kërkohet edhe mendimi i klubeve, para se të finalizohet vendimi.
Ndërkohë mjaft i ashpër ka qenë qëndrimi i Ministrit të Brendshëm Italian, Matteo Salvini, i cili kritikoi ligën që shtyu vetëm dy takime, duke lejuar të luhen 8 të tjerat.
“Mendoj se në këto momente duhet të shtyheshin të gjithë takimet, pasi duhet të bashkohemi me dhimbjen e atyre viktimave të Urës Morandi. Për të drejtat televizive dhe fitimet e sponsorëve, besoj se ka kohë të mendohet më pas”, deklaroi Salvini.