Një super ndeshje me shumë kthesa dhe plotë 5 gola të shënuar patën mundësi të shohin të pranishmit në stadiumin e Çairit, ku mejdanin ndanë dy skuadrat shqiptare, Shkupi dhe Renova, njofton “infOSport.mk”.
Ishin vendasit ata të cilët iu gëzuan fitores në fund me rezultatin 3:2, edhe pse të parët që avansuan në këtë përballje ishin pikërisht futbollistët nga Xhepçishti.
Burim Sadiki në minutën e 25-të lshoi një predhë të vërtetë, e cila me ndihmën e vogël të mbrojtësit të Shkupit, Sedat Berisha përfundoi në rrjetën e Suat Zendelit.
Golin e barazimit Shkupi e realizoi në minutën e 38-të, kur pas harkimit të bukur të Muharem Bajramit, ylli i ri i skuadrës nga Çairi, Jasir Asani, u gjind më së miri në zonën kundërshtare dhe me të majtën e tij shënoi për 1:1, raporton “infOSport.mk”
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi dy minuta para fundit të saj mysafirët nga Xhepçishti realizuan edhe golin e dytë.
Argjent Gafuri harkoi në zonë nga e majta, ndërkohë në tollovinë e krijuar para zonës së vendasve më së miri u gjind Fatjon Jusufi që edhe për herë të dytë shënoi në rrjetën e Zendelit, për rezultat 2:1 gjatë 45 minutave të para.
Mirëpo edhe përkundër këtij avantazhi, futbollistët e Shkupit nuk u dorëzuan, por përkndrazi vazhduan me lojën e tyre të mirë, që dha rezultat në pjesën e dytë kur arritën të përmbysin rezultatin.
Një depërtim i bukur i Jasir Aasanit nga e djathta dhe devijimi i shkurtë nga ana e portierit Haxho, i’a mundësoi Besar Isenit për të shënuar golin e barazimit (2:2), derisa për fitoren e Shkupit u përkujdes sërish Jasir Asani, i cili në maksimum shfrytëzoi dhuratën e dhënë nga ana e Xhelil Abdullahut brenda zonës dhe me një të majtë të fuqishme shënoi golin e tretë për Shkupin, që në fund u tregua edhe si vendimtarë për fitoren e Shkupit ndaj Renovës me rezultatin 3:2.
Falë kësaj fitore, Shkupi sërish u rikthye në pozitën e 7-të, duke i ikur në këtë mënyrë zonës së rrezikuar, ndërkohë Rrenova me 28 pikë të tubuara mbetet në pozitën e 6-të. (infOSport.mk)